Qindra mijëra bunkerë, të ndërtuar gjatë regjimit komunist, për të luftuar kundër pushtimit imagjinar nga NATO, mbeten ende si relike të paranojës së pashembullt të atij regjimi. Tani ata përdoren për qëllime të tjera.
"Bunkeri blu"
“Bunkeri blu” njihet si një nga restorantet e mira të peshkut në plazhin e Durrësit, ku mund të hash pa harxhuar shumë peshk të freskët nga deti. Nga jashtë vetëm forma rrethore, si këpurdhë e restorantit, të sjell ndërmend bunkerët famëkeq. Por bunkeri është atje, brenda. Hapësira e tij është transformuar në guzhinën e restorantit, në vendin ku pastrohet dhe gatuhet peshku i freskët.
Ëndërrat e këqija dhe lindja e idesë
Ideatori i ndërtimit të 750 mijë bunkerëve në gjithë vendin, ish-diktatori komunist Enver Hoxha, nuk do ta kishte përfytyruar, as në ëndrrën më të keqe shndërrimin në restorant të një bunkeri. Bashkëshortët Alma dhe Bujar
Alma Bregasi
Brëgasi janë pronarët e restorantit. Ata tregojnë që menjëherë pas rënies së regjimit komunist emigruan në Greqi, ku për disa muaj punuan në një tavernë peshku buzë detit. Ashtu si në atdheun e tyre ishin bunkerët. Ideja lindi...
“Thamë me njëri tjetrin: pse të mos e shfrytëzojmë bunkerin për të hapur një restorant? Pse të mos ndërtojmë rreth tij një strukturë të vogël, që të punojmë? E hapëm restorantin brenda hapësirës së bunkerit, vendosëm rrotull tij karrige dhe një strehë kashte. Bunkerin e lyem në ngjyrë blu, ngjyra jonë e preferuar, duke ruajtur përmasat dhe formën që ai kishte”, shpjegon Alma Bregasi.
Bunkeri "fat i madh i familjes"
Brenda pak vitesh me fitimet e tyre blenë dy varka peshkimi, rritën të ardhurat nga shitja e peshkut dhe ndërtuan rreth e qark bunkerit një strukturë prej druri dhe xhami, pasi blenë nga pronari i ligjshëm tokën ku ishte ngritur bunkeri dhe investimii tyre i ri. Bashkëshortërt Bregasi ishin të parët, por jo të vetmit, që bunkerët i panë si një mundësi sipërmarrjeje dhe biznesi.
Shijon edhe më mirë kur e mendon të kaluarën e hidhur...
“Pas nesh edhe të tjerët i përdorën bunkerët si restorante. Këtu kanë qenë edhe katër bunkerë të mëdhenj që u morën nga qytetarët e Durrësit”, thotë Alma. Bunkeri konsiderohet prej saj si fati i madh i familjes, baza nga nisi biznesi dhe prosperiteti ekonomik.
“Edhe tani që kemi të ardhura nuk kemi ndërmend ta prishim bunkerin. Të gjitha të mirat materiale i kemi nga ky bunker”, thotë ajo me entuziazëm.
Bunkerët buzë detit - kabina dhe dhoma plazhi
... së shpejti funksione të reja.
Bunkeri i familjes Bregasi nuk duket dhe nuk prish peisazhet e mrekullueshme të lindjes dhe perëndimit të diellit në plazhin e Durrësit. Por me qindra të tjerë ngrihen, si këpurdha prej hekuri dhe betoni, te zhgarravitura, te papastra, buzë detit, pranë hoteleve dhe shtëpive të pushimit.
Verën e kaluar, Ministria e Mbrojtjes shkulli 80 bunkerë në plazhet e Adriatikut. Por kjo nismë u ndërpre për shkak të kostos së lartë financiare. Shkulja e një bunkeri kushton më tepër se në vend të tij të ndërtosh diçka tjetër.
Në vend të saj një nismë tjetër ka hyrë në rrugën e realizimit: shndërrimi i bunkerëve buzë detit ne kabina plazhi dhe dhoma pushimi në zonat turistike malore. Ky projekt do të fillojë së pari me shndërrimin e bunkerëve në fshatin turistik Qeparo të Himarës, për t'u shtrirë më pas, nëse rezulton i suksesshëm, edhe në zonat e tjera të bregdetit të Jonit dhe Adriatikut. Ideja e përdorimit të bunkerëve në këtë mënyrë është një përzirje mes utilitetit dhe egzotizmit. Ajo vjen nga dy studentë shqiptarë të arkitekturës, që studiojnë në Milano. Realizimi i saj do të jetë si një pasqyrë e historisë së re të Shqipërisë: dikur bunkerë për të bërë luftëra imagjinare me NATO-n, tani dhoma plazhi dhe pushimi në një vend anëtar të NATO-s.
Autor: Ani Ruci
Redaktoi: Bahri Cani