Politika-Ballkani | 03.07.2007
Gernort Erler: Asnjë vend nuk do e ketë më aq të lehtë
Në këtë intervistë për Deutsche Welle, Sekretari i Shtetit në Ministrinë e jashtme gjermane Gernord Erler flet për kontrollin që BE ushtron mbi vendet e sapofutura në BE dhe ato që priten të futen
Deutsche Welle: Zoti Erler, Komisioni Europian morri vendim të mos përdorë masa kundër Bullgarisë dhe Rumanisë, megjithatë në raportet e hartuara mbi rezultatet e arritura në këto dy vende këshillohet që vëzhgimi i këtyre dy vendeve të vazhdojë sepse në disa fusha kritike, si për shembull reformimi i sistemit të drejtësisë dhe luftimi i kriminalitetit të organizuar ka ende shumë punë për të bërë. Sipas mendimit tuaj, vendimi i marrë nga Komisioni Europian është si të thuash dënim i lehtë i këtyre vendeve?
Gernort Erler: Unë them se sinjalet nuk duhen keqkuptuar. Unë besoj se prandaj po bëhet distancimi nga shprehjet si "masa mbrojtëse" sepse pikë së pari përparime janë duke u parë në shumë sektorë, dhe së dyti sepse dihet që koha për të realizuar të gjitha kërkesat e BE-së ishte e shkurtër. Megjithatë është e qartë se mbi Bullgarinë vazhdohet të ushtrohet presion në kuadër të kontrollit të ecurisë deri në mes të vitit 2008. Ky presion është pothuajse njësoj me marrjen e masave mbrojtëse.
Deutsche Welle: Megjithatë, ju me siguri prisnit përparime më të mëdha nga Rumania dhe Bullgaria?
Gernort Erler: Po, shpresoja që përparimet të ushin më të mëdha, sepse në Bullgari janë bërë përparime në sistemin e drejtësisë, në reformimin e drejtësisë dhe në luftimin e kriminalitetit të vogël e korrupsionit, që zhvillohet në komuna. Por për fat të keq duhet thënë se natyrisht këto dy pika nuk mjaftojnë. Detyra që kanë mbetur pa u plotësuar kanë të bëjnë me korrupsionin në nivel të lartë dhe lufta kundër krimit të organizuar. Këto sigurisht janë fushat që bien shumë në sy të publikut. Këto fusha kanë të bëjnë edhe me prestigjin dhe imazhin e vendit BE. Për fat të keq muajt e fundit ka patur zhvillime skandaloze në Bullgari, të cilat janë pasqyruar nga shtypi.
Deutsche Welle: A nuk mendoni se tani të dy vendet thonë se kanë të drejta si të gjitha vendet e tjera të BE-së?
Gernort Erler: Nëse do të ishte kështu atëherë Komisioni do të duhej të kishte marrë vendime të tjera dhe të kishte formuluar raportin ndryshe. Besoj se në Bullgari me shumë sektorë kemi bashkëpunim konstruktiv, dhe se duhen parë përpjekjet që po bëhen por kemi dhe fusha e sektorë ku preken edhe politikanë shumë të lartë, prandaj kemi të bëjmë me një problem sistemi. Ka shumë mundësi që në Bullgari të ketë shumë vetë që janë të gatshëm të plotësojnë kërkesat e BE-së, në fusha që nuk kanë të bëjnë me prekjen e interesave të tyre personale ose egoiste, ndërkohë që ata tregojnë rezerva të plotësojnë kërkesat e BE-së edhe për fushat ku preken interesat personale. Do të thosha se tani sinjali që jepet është shumë i qartë. Deri në mes të vitit tjetër procesi vëzhgimit dhe procesi i bashkëpunimit të vazhdojë me të njëjtin intensitet dhe duke ushtruar të njëjtin presion si deri tani, me të njëjtat raporte ecurie që duhen paraqitur nga të dy vendet Rumania dhe Bullgaria
Bildunterschrift: Großansicht des Bildes mit der Bildunterschrift: Parlamenti Europian
Deutsche Welle: A mund të ndikojnë problemet e Bullgarisë dhe Rumanisë negativisht për vendet e tjera të Ballkanit si Kroacia dhe vende të tjera që aspirojnë të hyjnë në BE?
Gernort Erler: Besoj se nuk ekziston ndonjë lidhje direkte, sepse Kroacia nuk është e përfaqësuar në ndonjë grup, edhe nëse bën pjesë në vendet e Ballkanit perëndimor. Për më tepër sepse këtu kemi të bëjmë me një fenomen tjetër. Kroacisë i janë kërkuar të plotësojë 12 kapituj, vendi është duke bërë përparime të shpejta dhe shumë vëzhgues thonë se Kroacia po afrohet shumë me BE-në. Kështu që pranimi i Kroacisë do të varet me shumë nga pakti reformues i BE-së, nëse ai është ratifikuar deri në vitin 2009. Unë pres që deri në fund të vitit tjetër të kenë përfunduar bisedimet e pranimit me Kroacinë.
Deutsche Welle: Ju mendoni se përvojat bullgare dhe rumune, nuk do të bëjnë që Kroacia të kontrollohet më shumë...
Gernort Erler: Ky është një zhvillim i përgjithshëm, dhe nga ky zhvillim nuk do të shpëtojë as Kroacia. Pas 1 maj të vitit 2004 me pranimin e 10 anëtarëve të rinj ka filluar ashpërsimi i kontrollit. Kjo vlen për Bullgarinë dhe Rumaninë, me shumë edhe për Turqinë dhe Kroacinë nga të cilat do të kërkohen rezultate shumë më të larta. Pra asnjë vend nuk do e ketë më aq të lehtë.
















