Kategoritë | 23.07.2008
Lexuesit shkruajnë
"Ka më shumë se një muaj që Kosova dhe kosovarët po dridhen e përdridhen dhe nuk dinë si të shpëtojnë nga disa autobote të ngarkuara me Oleum. Vaji disulfurik është sinonim i Oleum-it ose acid sulfurik i përqëndruar H2SO4.SO3. Ka tre mënyra eliminimi të tij. Ta shkarkosh në lumë. Kjo është ilegale, sepse do të shkatërronte florën dhe faunën. Ta përdorësh duke e holluar me ujë deri sa të kthehet në acid sulfurik H2SO4 dhe të shpëlash me të mineralin e bakrit. Përfundimi do të ishte sulfat bakri dhe sulfat hekuri. Kjo metodë krijon problemin tjetër, që duhet gjetur vendi ku të dvrgohen këto dy sulfate që janë më pak të rrezikshme. Rruga tjetër është të analizohet përmbajtja e autoboteve, dhe nëse produkti është i cilësisë teknike, të shitet. T`i mbash autobotet e bllokuara nuk është zgjidhje. Oleumi çliron avuj SO3 të cilët janë të rrezikshëm, janë shumë korrodues dhe shkatërrojnë organet e frymëmarjes." shkruan një dëgjues nga USA.
"Është shumë e vërtetë që institucionet qëndrore gjermane flasin shumë për integrimin. Por mendoj se ato duhet të gjejnë kohë të takohen personalisht me kategori të ndryshme emigrantësh dhe të informohen nga afër me hallet e tyre. Në shumë komuna gjermane trajtimi ndaj të huajve nuk është në nivel të kënaqshëm, për të mos thënë bile se në raste të veçanta është i vrazhdë. Mjaft nga të huajt heqin të zitë e ullirit nga zyrat për të huajt. Ata as lejohen të integrohen as nuk u jepen informacone se si duhet të bëjnë një gjë të tillë. Rasti më konkret është në qytetin e Rastattit të Baden Vyrtenbergut, ku zyrtarët për të huajt i kane shndërruar të ardhurit pothuaj në njerëz të kategorisë së dytë edhe më keq, " shkruan Bashkim Hoxhaj nga Gjermania.
"Redaksi e nderuar, me ëndje po lexojmë ç'do ditë lajmet e reja ,veç ju kisha propozuar që nese keni mundësi edhe ma tepër të shkruani për Kosovën, në mënyrë që të dihet edhe ma shumë se kush është Kosova, që të kemi njohje edhe ma shpejt nga shtetet tjera. Përshëndetje, " nga Mustafë Bërbatovci Bardhi i Madh-Fushë Kosovë.
"Përshëndetje! Vetëm një sugjerim! Në gjuhën shqipe nuk shkruhet dhe nuk thuhet "Viti i Paulusit", por "Viti i Palit" apo "Viti i Shën Palit Apostull! Me shnet," shkruan Mag. Don Kole Gjergji nga Austria.
"Përshëndetje të nderuar kolegë! Po ju shkruaj pas një kohe të gjatë. Kjo për arsye të ngarkesës së punës, por edhe për faktin se faqja e internetit këtu në Pekin ka vetem pak kohë që hapet, pasi ishte e pamundur të hapej. Ndoshta kjo vjen edhe për shkak të kontrolleve të sistemit mediatik të Kinës. Megjithatë, ja ku jam përsëri. Më vjen shumë mirë që faqja juaj qenka bërë më e mbushur me informacione, programacione të ndryshme jo vetëm ato ditore, por edhe për të gjithë dëgjuesit që nuk kanë mundësi t'ju ndjekin direkt, çdo program mund ta shohin dhe ta degjojnë të regjistruar në internet. Me pëlqeni për zërin dhe saktësinë tuaj. Nuk keni të krahasuar me Radion e Jashtme të Kinës. Faleminderit, që më jepni mundësinë të shprehem dhe t'ju shkruaj hapur, gjë të cilën nuk mund ta bëj kurrsesi në seksionin shqip të RJK-së. Me dashuri dhe respekt për ju të gjithë. Kolegu juaj,"shkruan Edison Myrteza nga Pekini.
"Mendoj se edhe në Shqipëri dosjet duhet të hapen. Opinioni publik ka nevojë të dijë se si ka qenë e shkuara e atyre që sot janë në poste publike dhe jo vetëm hapja e dosjeve do të ndikonte edhe në uljen e shantazheve të ndryshme politike apo të çdo lloji, pasi në shumë raste dosjet përdoren për të bërë presione nga më të ndryshmet. Hapja duhet të jetë sa më e thjeshtë dhe pa pegesa ligjore, duke mos përjashtuar asnjë kategori, " shkruan D.Jorgoni nga Shqipëria.
"Unë mendoj se Obama nuk është personi i duhur për tu zgjedhur President i SHBA-ve. Për mua më i mirë për President është Mc Cain, sepse ai bën politikë më të mirë së Obama, " shkruan Isak Ibishi nga Shqipëria.
"Askush nuk ja ka fajin as italianëve dhe as shqiptarëve, për sa kohë që pranojnë në heshtje dhe me heshtje politikën e riciklimit. Vetëm në politikat shqiptaro-italiane, ndodh që edhe në burg me qenë apo i ndjekur nga gjykatat mund të bëhesh kryeministër apo parlamentar. Sa turp, por më turp është për ata që i duartrokasin dhe i presin si heronj këta njerëz me shkelje demostrative ndaj ligjit, që për çudi bëhen projektues ligjesh. Sa kohë që politikat do të komandohen nga bizneset, popujt do të shohin ëndërra me sy hapur, vetëm konflikte dhe maskaradë politike që nuk i shërben popullit." shkruan Patriot Demokrati nga Shqipëria.
"Në Ballkan ka shumë probleme etnike të shkaktuara nga ndarja e gabuar territoriale, e cila nuk i përgjigjet realitetit dhe strukturës etnike. Problemet zvarriten që nga shpartallimi i Perandorive që sundonin Ballkanin e deri më ditët e sotme. Në konsolidimin e shteteve të Ballkanit pas rënies së Perandorive më së shumti pësoi Shqipëria. Një e treta e shqiptarëve u dëbuan tërësisht nga trojet e veta, një e treta mbetet në Shqipërine e porsanjohur (1918) ndërsa e treta tjetër mbeti jashtë shtetit amë. Kështu, nga dy të tretat e popullit shqiptar gjysma mbeti jashte kufijëve të shtetit amë. Është ditur se kjo ndarje e trojeve shqiptare në Ballkan nuk do të sjellë stabilitet, çka edhe ndodhi, ashtu siç pritej. Zgjidhja më e mirë dhe më fatlume për Kosovën, të banuar me mbi 90 përqind me shqiptarë është bashkimi me Shqipërinë. Ështe më e drejtë, më stabile dhe më rentable- ç'i duhen shqiptarëve dy Presidenta, dy Kryeminstra e dubël ministra."shkruan Hamid Kryeziu nga Shqipëria.









