Ballina | 23.04.2008
Çfarë synohet përmes formatit të ri të programeve?
Drejtori i seksionit shqip të DW-së Fabian Schmidt: "Reforma e programit synon të përmbushë dy qëllime: së pari ne duam, që t´u japim dëgjuesve mundësinë, që të informohen në valët e DW-së, më shpesh, në mënyrë më të detajuar dhe më aktuale, se deri më sot. Formati me tri edicione nga 30 minuta çdo ditë ka qenë i përshtatshëm në kohën e transmetimeve me valë të shkurtra, të cilat u ndërprenë në vitin 2007. Ndonëse në Tiranë dhe në Prishtinë kemi transmetuar në frekuencat FM në çdo orë një emision me pesë minuta lajme, prapë jemi të mendimit se ky është një format i shkurtër dhe pa hapësirë për një informim më të detajuar. Dëgjuesit do të kenë në të ardhmen mundësinë të ndjekin çdo orë një emision aktual prej 15 minutash dhe jo vetëm lajme.
Së dyti: ne duam që programi ynë të ofrojë diçka tjetër, që të jetë e veçantë nga programet që transmetojnë mediat lokale. Sa i përket përmbajtjes, kjo do të thotë më shumë informacion nga Gjermania, nga Evropa dhe nga bota, por duke pasur në fokus edhe Evropën Juglindore. Sa i përket kohës së transmetimit: emisionet tona nuk do të jenë më në orën e plotë, por "në e gjysmë". Kjo për arsye, se shumica e radiove vendase i transmetojnë lajmet në fillim të çdo orë të plotë. Dëgjuesit mund të informohen përmes mediave vendase mbi motin apo trafikun rrugor, ose dhe për temat lokale. Ndërsa një gjysmë ore më vonë Deutsche Welle në shqip ofron një tjetër perspektivë informative. Ne kemi në fokus proceset e integrimit evropian dhe sjellim përvojën e vendeve të tjera kandidate ose ish-kandidate për në Bashkimin Europian. DW-ja ka gjithashtu një numër të madh korrespondentësh në shumë vende të botës, të cilët sjellin çdo ditë informacione aktuale mbi zhvillimet ndërkombëtare."
















