| 23.07.2008 | 13:00 UTC
Kabineti gjerman vendos për futjen e letërnjoftimeve të reja dhe të testit për marrjen e shtetësisë
Kabineti gjerman ka vendosur për futjen e letërnjoftimeve të reja dhe të testit të diskutueshem të marrjes së shtetësisë. Me këtë test që nga shtatori do të kontrollohen njohuritë mbi Gjermaninë. Letërnjoftimi do të përmbajë nga 2010-a një fotografi digjitale në një çip elektronik. Vullnetarisht mund të kërkohet pajisja me një funksion shtesë, me anë të të cilit bëhen të mundura transfertat e parave dhe mbarimi i punëve administrative përmes internetit. Edhe ruajtja digjitale në kartë e shenjave të gishtërinjve është mbi bazë vullnetare. - Të gjelbrit paralajmëruan se letërnjoftimi i ri nuk sjell përfitime në siguri, por një sërë rreziqesh.
Serbia kërkon ta ekstradojë Karaxhiçin në tribunalin e OKB-së
Pas arrestimit të kriminelit të supozuar të luftës Radovan Karaxhiç Serbia kërkon t'ia ekstradojë shpejt 63 vjeçarin tribunalit të Kombeve të Bashkuara në Hagë. Një gjykatës në Beograd vendosi që kushtet ligjore për këtë përmbushen. Tribunali i Kombeve të Bashkuara do ta gjykojë ish-presidentin e serbëve të Bosnjës për gjenocid dhe për krime kundër njerëzimit. Sipas qeverisë serbe, Karaxhiçi u kap të hënën në mbrëmje në afërsi të Beogradit. Së fundi ai punonte nën identitet të rremë si mjek alternativ në një klinikë private. - Bashkimi Evropian i bëri thirrje qeverisë serbe që të intensifikojë tani kërkimin e kriminelëve të tjerë të supozuar të luftës. Para së gjithash BE-ja shtyn drejt arrestimit të ish-komandantit ushtarak të serbëve të Bosnjës Ratko Mladic.
Presidenti i Sudanit në rajonin e krizës Darfur
Presidenti i Sudanit Omar Hasan el Bashir ka nisur një vizitë dyditore në rajonin e krizës Darfur. Në kryeqytetin rajonal verior El Fasher ai u prit nga një formacion ushtarak nderi dhe nga dinjitarë lokalë. Bashir akuzohet për bashkëpërgjegjësi në krimet e kryera në Darfur. Kryeprokurori i gjykatës penale ndërkombëtare, Luis Moreno-Ocampo, lëshoi javën e kaluar një urdhër-arrest kundër Bashirit për gjenocid. Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, në konfliktin e Darfurit kanë humbur jetën deri tani 300.000 njerëz.
Gjermania dhe Iraku duan të rigjallërojnë marrëdhëniet
Gjermania kërkon të hapë një kapitull të ri në marrëdhëniet tradicionalisht të mira me Irakun. Të dyja vendet mund të mbështeten në një histori të gjatë për projektet e ardhshme, tha kancelarja Angela Merkel pas një bisede me kryeministrin irakian Nuri al-Maliki në Berlin. Merkel i ofroi Irakut gjithashtu ndihmë në rindërtim dhe në vendosjen e një sistemi shtetëror federal. Maliki e ftoi ekonominë gjermane për investime në vendin e tij. Gjendja e sigurisë është përmirësuar në atë masë, saqë firmat gjermane mund të vinin, tha ai. Maliki u bëri njëkohësisht thirrje refugjatëve irakianë, të kthehen në atdheun e tyre. Secili nevojitet për rindërtimin, tha ai. Këtu ai përfshiu shprehimisht edhe të krishterët. Nuk ka diskriminim, theksoi ai.
Obama do të punojë për paqen në Lindjen e Afërme
Kandidati i zgjedhur demokrat për president të SHBA, Barack Obama, kërkon të punojë intensivisht për sukses në bisedimet izraelito-palestineze të paqes në rast se zgjidhet. Pas një takimi me mbretin e Jordanisë Abdullah II në Aman senatori amerikan u shpreh për një zgjidhje me dy shtete. - Obama ka mbërritur ndërkohë në Izrael. Për sot janë parashikuar bisedime me kryetarin e qeverisë izraelite Ehud Olmert dhe me presidentin palestinez Mahmud Abas. - Në Jeruzalem një polic izraelit vrau me armë zjarri një palestinez, i cili goditi qëllimisht me ekskavator disa automjete duke plagosur kështu 16 njerëz.
Çavez do të blejë armë në Rusi
Presidenti me orientim të majtë i Venezuelës, Hugo Çavez, paralajmëroi gjatë vizitës së tij në Moskë blerje të tjera armësh dhe u ofroi forcave të armatosura ruse ngritjen e pikëmbështetjeve në vendin e tij. Çavez, kritik i politikës së SHBA, e cilësoi Rusinë si aleat strategjik në fushën ushtarake dhe të politikës energjetike. Presidenti rus Dmitri Medvedev dhe Çavezi u morrën vesh për një bashkëpunim më të ngushtë politik dhe ekonomik midis dy vendeve. - SHBA i kritikuan livrimet e planifikuara të armëve të Rusisë në Venezuelë. Biznesi miliardësh i tejkalon nevojat mbrojtëse të vendit amerikanolatin, tha një zëdhënës i ministrisë së jashtme amerikane.
SHBA ndalojnë importet e gurëve të çmuar nga Birmania
SHBA i kanë shtrënguar sanksionet e tyre kundër juntës ushtarake në Birmani. Pas dhomës së përfaqësuesve edhe seanti votoi për një ligj që ndalon plotësisht importet e gurëve të çmuar nga Birmania. Në këtë mënyrë junta ushtarake mund të humbasë disa qindra milionë dollarë të ardhura në vit.
Qeveria indiane fiton votëbesimin
Qeveria indiane e kryeministrit Manmohan Sing mbetet në pushtet me një shumcë parlamentare të vetën. Qeveria e koalicionit fitoi pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme turbulluese, të ndërprerë dy herë votëbesimin në dhomën e ulët në Nju Deli. 275 deputetë votuan për qeverinë, 256 kundër. Dhjetë deputetë abstenuan. Kriza më e rëndë qeveritare në Indi që prej zgjedhjeve parlamentare të 2004-ës u shkaktua prej marrëveshjes së planifikuar me SHBA, e cila parashikon bashkëpunim në fushën bërthamore civile. Katër parti të majta paralajmëruan dy javë më parë se do të tërhiqeshin nga koalicioni i udhëhequr prej Partisë së Kongresit.











