DW-WORLD.DEPrintoni

09.05.2008

Mbrojtja e natyrës kombinohet me luftimin e varfërisë

Pylli i vjetër Kellerwald, Gjermani

Qeveria gjermane përpiqet për krijimin një rrjeti global të zonave të mbrojtura. Pyjet tropikale mund të quhen dhoma thesari të globit. Tre të katërtat e llojeve të bimëve dhe kafshëve e kanë shtëpinë në këto pyje.

Për t'i mbrojtur pyjet nuk mjafton ngritja e gardheve mbrojtës, edhe njerëzit duhet të përfshihen në këtë proces. në të gjithë botën zhduken çdo vit 16.000 lloje e specie bimore e shtazore, kjo për shkak të prishjes së 15 milionë hektarë pyjeve. Pikërisht ruajtja e zonave të mbrojtura dhe sfidat e mbrojtjes së pyejeve tropikale do të jenë në qendër të konferencës së 9-të të organizatës së OKB-së për biodiversitetin nga 19 deri në 30 në Bon.


Pyjet janë të rëndësishëm. Ato ruajnë burimet ujore, zvogëlojnë rrezikun e katastrofave natyrore, si për shembull rrëshqitjen e tokës, dhe janë njëkohësisht edhe rezervatë të lëndës së qymyrit. Ekspertët vlerësojnë se pyjet  i ofrojnë njeriut mesatarisht në mbarë botën shërbime dhe lëndë të parë në vlerë prej 750 eurosh për hektar në vit. Sipas statistikave të Bankës Botërore pyjet kontribuojnë direkt për sigurimin 90% të jetesës së 1,2 miliardë njerëzve në botë, të cilët jetojnë në varfëri ekstreme, duke fituar më pak se një dollar në ditë.

Duhen hequr syzet evropiane kur analizon popujt indogjenë


Gjermania ka zhvilluar që në kohën e Helmut Kolit një program për mbrojtjen e pyjeve, madje janë shënuar edhe disa arritje, mendojnë ekspertët. Por ato nuk mjaftojnë. Manfred Konukievitc nga ministria gjermane për bashkëpunim dhe zhvillim është përgjegjës për çështjet globale. Ai ngre para së gjithash shqetësimin se mungon një rrjet komunikimi në zonat e mbrojtura. Nga ana tjetër mungojnë standarte të njësuara dhe një monitorim efektiv, i cili mund të verifikonte lehtë nëse zbatohen restriksionet e vendosura për mbrojtjen e natyrës.


Zonat e mbrojtura nuk janë zona të pabanuara. Në shumë rajone madje luftohet për të harmonizuar disi mbrojtjen e natyrës dhe sigurimin e ekzistencës së popullatës së varfër.


"Po po ta shohësh nga Evropa, një gjë e tillë duket e thjeshtë. Po t'i shohësh përmes programit Google earth në kompjuter pyjet e Amazonës, mendon, ah sa bukur! Le ta shpallim zonë të mbrojtur. Por të jesh në vend atëherë e kupton se nuk ka vetëm drurë aty, por edhe njerëz që jetojnë prej shekujsh. Ata kanë aty tradicionalisht vatrën e tyre, stilin e tyre të jetesës. Dhe ne nuk kemi aspak të drejtë t'i dëbojmë apo t'u themi: Ju nuk duhet ta përdorni pyllin ashtu si keni bërë qindra vjet."

Vëmendje për kushtet e jetesës së popujve indogjenë


Një problematikë të tillë e kanë kapur edhe aktivistët për ruajtjen e ambientit, thotë Konukievitc. Ata po zhvillojnë programe për mbrojtjen e natyrës të kombinuara me luftimin e varfërisë. Kushtet e jetesës së popullatës indogjene merren seriozisht në konsideratë.


"Një fis indogjen ka nevojë për mbijetesë për shumë sipërfaqe, se sa një funksionar qeveritar në Gjermani. Për këtë arsye duhet patur parasysh që njerëzit parimisht të kenë mundësi të vazhdojnë atë lloj jete si edhe më parë."


Qeveria gjermane do t'i bëjë popujt indogjenë bashkëideues të katalogut për mbrojtjen e natyrës në konferencën e OKB-së në Bon. Edhe organizata të tjera ndërkombëtare po përpiqen të integrojnë popullsinë në vend në projektet e tyre. Kështu po ndodh në Kongo dhe ishujt e Indonezisë.


Për këta banorë është e rëndësishme që të gjenden burime të tjera të ardhurash në rast të humbjes së atyre tradicionale. Në parkun Kerihun në Borneo sipas projektit të fondit botëror për ruajtjen e specieve të egra luftohet prerja ilegale e pyjeve gjigande përmes shtimit të kultivimit të orizit dhe misrit dhe turizmit ekologjik. Por a i kundërvihet dot një projekt i tillë shfarosjes ilegale të pyjeve? Eksperti gjerman për pyjet tropikale, Markus Radday thotë:


"Vetëm kjo nuk mjafton. Masa të tilla duhet të koordinohen me ato që merr shteti për shembull në drejtim të përmirësimit të kudjesit shëndetësor. Shteti ka sigurisht përgjegjësinë e vet. Pra këto masa duhet të ndërlidhen me të tjera, në mënyrë që rritet shkalla e ndërgjegjësimit në drejtim të mbrojtjes së natyrës."




Monika Hoegen

DW-WORLD.DEPrintoni

Monika Hoegen | www.dw-world.de | © Deutsche Welle.