DW-WORLD.DEPrintoni

08.05.2008

T'i jepet fund zhdukjes së specieve, por si?

Derra të rracës

Përsa kohë do të ketë akoma pinguinë në planetin tonë? Parlamenti gjerman debaton mbi biodiversitetin në prag të konferencës për mbrojtjen e natyrës.

Në prag të konferencës për mbrojtjen e natyrës së globit që zhvillohet nga data 19 deri në 30 maj në Bonn, parlamenti gjerman kërkon rrugë të përbashkëta në luftën kundër zhdukjes së specieve.


Për objektivin nuk ka diferenca të mëdha mendimesh mes grupeve të ndryshme në parlamentin gjerman: zhdukja e shpejtë e specieve duhet të marrë fund. Për këtë u shprehën dhjetë ditë përpara fillimit të punimeve të konferencës së Kombeve të Bashkuara për mbrojtjen e natyrës në Bonn, përfaqësues të të gjitha partive në Bundestag. Deputetja e partisë liberale FDP, Angelika Brunckhorst u shpreh:


"Në duhet t'u lëmë fëmijëve dhe nipërve tanë një natyrë të pasur me specie të ndryshme që edhe ata të përfitojnë nga ekosistemi. Për këtë duhet t'i japim fund humbjes së larmisë biologjike. Zhdukja e çdo lloj specieje është e pakthyeshme."


Ndryshime në mendime pati në pyetjen se si mund të arrihet sa më mirë mbrojtja e larmisë së specieve. Politikania e gjelbër Renate Künast e akuzoi qeverinë se nuk bën sa duhet dhe se zvarrit prej vitesh projekte të rëndësishme ligjore. Nuk mjafton të mbahen fjalime të bukura dhe t'u urohet fëmijëve më shumë kontakt me natyrën:


"Fakt është që ne konsumojmë më shumë nga sa na takon dhe kjo në kurriz të vendeve në zhvillim. Kjo duhet të ndryshojë dhe është një punë e vështirë. Për këtë duhet ndaluar që koncerne shumëkombëshe të kenë kontrollin mbi farat dhe burimet gjenetike duke shpronësuar kështu faktikisht banorët autoktonë në shumë rajone. Në këtë kuadër mbrojtja dhe ruajtja e biodiversitetit duhet të jetë prioriteti kryesor dhe kjo në të gjitha fushat e politikës."


Edhe ministri gjerman për ambjentin Sigmar Gabriel pranoi se objektivat e synuar ende nuk janë arritur. Në vitin 1992 konventa e Kombeve të Bashkuara për shumëllojshmërinë biologjike përcaktoi objektivin e ndalimit të zhdukjes së specieve deri në vitin 2010. Por situata aktuale është shumë larg këtij objektivi. Gabriel tha se nuk përjashtonte mundësinë e dështimit edhe të konferencës së ardhshme në Bonn. Qeveria gjermane kërkon megjithatë të bëjë ç'është e mundur që kjo konferencë të ketë sukses.


"Kur flasim për biodiversitet flasim për manualin e përdorimit të planetit tokë. Në të shkruhet se si funksionon planeti ynë dhe ne çdo ditë grisim një fletë nga ky manual. Rezultati në fund do të jetë që kur dikush të dojë të lexojë diçka në të, do të mungojë fleta ku shkruhet mbi mbijetesën e njerëzimit. Kjo është humbja e specieve."


Nëse zhdukja e specieve vazhdon si tani, në vitin 2050 nuk do të ketë më peshkim komercial në planetin Tokë. Për miliarda njerëz kjo do të thoshte vdekje, tha ministri gjerman i ambjentit, Gabriel. Në konferencën në Bonn priten përfaqësues nga 190 shtete. Ata do të shqyrtojnë objektivat për ambjentin të Rio-s të vendosura në vitin 1992.

Marx, Bettina (DW), Berlin

DW-WORLD.DEPrintoni

Marx, Bettina (DW), Berlin | www.dw-world.de | © Deutsche Welle.